“50 cent” në Prishtinë
Ylli botëror i muzikës rep “50 cent” shfaqi të hënën një koncert në Prishtinë në prani të rreth 25 mijë adhuruesve të tij, jo vetëm nga Kosova, por edhe nga vendet fqinje.
Koncerti i reperit të famshëm amerikan “50 cent” u mbajt në ambjent të hapur, në stadiumin e kryeqytetit, në një mot shumë të ftohtë. Mijëra adhurues të këngëtarit e kanë ndjekur koncertin jashtë stadiumit.
Koncerti i “50 cent” u mbajt nën masa të rrepta sigurie. Nuk ishin të paktë njerëzit të cilët kishin besuar se pop ylli botëror “50 cent” nuk do të mbante koncert në Prishtinë, për shkak të situatës së ndjeshme politike në fund të procesit të zgjidhjes së statusit.
“50 cent” shprehu kënaqësinë e tij që ndodhet në Kosovë. ”50 cent” është këngëtari më i njohur botëror që ka mbajtur koncert në Prishtinë.
Atë e ka sjellur në Kosovë para ashuruesve të tij kompania IPKO me rastin e fillimit të punës së operatorit të dytë të telefonisë mobile.