BDI kërkon zgjedhje të parakohshme

Në Shkup kanë filluar konsultimet, për arritjen e një konsensusi të gjerë politik për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve me Greqinë rreth emrit.

Kryeministri, Nikolla Gruesvki ka realizuar takime me udhëheqësit e partive më të mëdha politike të atjeshme.

Pas takimeve të tij me Menduh Thaçin, Radmilla Sheqerinska, Ali Ahmeti nuk është bërë ndonjë deklaratë, por në njoftimin paraprak të kabinetit qeveritar u tha se kryeministri do t’i informojë për angazhimin e delegacionit qeveritar në Samitin e Bukureshtit si dhe për takimin e A-3-it në Zagreb.

Politikanët në Maqedoni duhet të tejkalojnë mosmarrëveshjet me Greqinë rreth emrit, që ishte pengesa kryesore për mos sigurimin e ftesës për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO.

Partia opozitare shqiptare, Bashkimi Demokratik për Integrim, vlerëson se kjo garniturë politike nuk mund t’i realizojë aspiratat e qytetarëve të Maqedonisë për integrimin e vendit në strukturat euro-atlantike dhe grupi parlamentar ka kërkuar shpërndarjen e parlamentit.

“Deputetët e BDI-së, i kanë dhënë firmat e veta për shpërbërjen e parlamentit. Parashtrohet pyetja pse? Ne vlerësojmë se as kjo përbërje e grupeve parlamentare, as kjo qeveri nuk është në nivelin e detyrës që të ballafaqohet me sfidat të cilat i kërkon koha.

Interes madhor, interes strategjik, janë integrimet në NATO dhe në BE. Një gjë e këtillë nuk ndodhi, dhe ne nuk besojmë se kjo qeveri dhe kjo përbërje parlamentare ka kapacitet që ta shtijë Republikën e Maqedonisë NATO dhe EU,” tha bashkërenditësi i grupit parlamentar të Bashkimit Demokratik për Integrim, Rafiz Haliti.

Por, Tito Petkovski, njëri nga partnerët e koalicionit qeverisës është kundër zgjedhjeve të parakohshme.

“Nuk besoj se Maqedonia do të arrijë që t’i realizojë këto qëllime më shpejt nëse shkon në zgjedhje të parakohshme. Zgjedhjet në këto çaste nuk do ta përmirësonin as pozitën tonë përballë problemit të emrit me Greqinë,” tha Tito Petkovski.

Kryetari i BDI-s Ali Ahmeti ka biseduar edhe me kryeministrin, Nikolla Gruevski për zgjedhje të parakohshme.

Nuk dihet cili do të jetë qëndrimi i kryeministrit.

Parlamenti mund të shpërndahet, nëse për të votojnë 51 % e numrit të përgjithshëm të deputetëve.

Deri më tani në Maqedoni, që nga pavarësia, nuk ka patur zgjedhje të parakohshme apo shpërndarje të parlamentit nga vetë deputetët.

huazuar nga BBCAlbanian


Tags: , , ,