Ekonomia amerikane ende me probleme
Financial Times ka artikullin në faqe të parë me titull “Dollari bie në nivelin rekord më të ulët.”
Ndërkohë, euro arriti nivelin më të lartë rekord përballë dollarit me 1.56. Më në brendësi është artikulli tjetër me titull “Demokratët në SHBA propozojnë një plan huaje me vlerë prej 400 miliardë dollarësh.” Po në Financial Times është artikulli me titull “Rusia dhe Ukraina arrijnë marrëveshje për t’i dhënë fund bllokimit të çështjes së gazit.”
The Indipendent shkruan “Ministria e mbrojtjes akuzohet se po dërgon propagandë nëpër shkolla.” Dhe vazhdon: Irak- mësuesve u thuhet të rishkruajnë historinë. Sindikata më e madhe e mësuesve ka akuzuar Ministrinë e Mbrojtjes se po shkel ligjin mbi një plan të hartuar për t’u mësuar nxënësve për luftën në Irak.
Ata besojnë se instruksionet e dhëna janë sipas tyre përpjekje për të rishkruar historinë mbi pushtimin e Irakut, ndërsa bota përgatitet të shënojë 5 vjetorin e luftës. Në gazeta sot zë vend të veçantë incidenti i djeshëm në një prej terminaleve të aeroportit Heathrow.
“Pushtuesi i pistës shkakton shqetësime mbi sigurinë”, shkruan the Guardian. Shefat e aeroporteve në Britani po përballen tashmë me pyetje të tjera mbi sigurinë pasi dje një person me një çantë shpine mundi të hyjë në një prej pistave në Heathrow, në një prej shkeljeve më të rënda në aeroportin më të madh në Britani.
Muajin e kaluar, pesë aktivistë të Greene Peace gjithashtu shkelën sigurinë duke hipur mbi një avion në një protestë të tyre mbi zgjerimin e e aeroportit.
Po në Guardian është artikulli me titull “Gjermania i hedh ujë të ftohtë unionit të Sarkozisë.” Presidenti Sarkozy duket se mbrëmë është detyruar të largohet nga ideja e një skeme ambicioze për një union mesdhetar që do të lidhte shtetet jugore të BE-së në një klub me Magrebin, Turqinë dhe vende të lindjes së mesme përfshirë dhe Izraelin.
The Times ka artikullin me titul “Sfidanti i Teheranit i drejtohet perëndimit.” Një politikan i shquar iranian ka përdorur një intervistë dhënë gazetës the Times për të sinjalizuar se shumë konservatorë janë të pakënaqur me qëndrimin konfrontues ndaj perëndimit të presidentit Ahmedinejad dhe se ata favorizojnë më shumë dialog.
Në një intervistë të rrallë për gazetën, Muhamed Baqer Qalibaf, kryetari i bashkisë së Teheranit dhe ish shef policie në Iran foli për atë që duket si lindje e një lëvizje të tretë në vend që ishte diku midis përkrahësve të vijës së ashpër të Ahmedinejadit dhe reformistëve.
Zoti Qalibaf që është 46 vjeç po fliste në prag të zgjedhjeve parlamentare në Iran.