Haradinaj shpallet i pafajshëm

Trupi gjykues i Gjykatës së Hagës ka shpallur të pafajshëm ish-kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, nga të gjitha akuzat. Nga akuzat është liruar edhe i akuzuari tjetër Idriz Balaj – ndërsa fajtor është shpallur Lahi Brahimaj, i cili u dënua me 6 vjet burg.

Gjykata urdhëroi lirimin e Haradinaj dhe Balaj menjëherë pas përfundimit të formaliteteve të nevojshme.Trupi gjykues i këtij procesi i kryesuar nga gjykatësi holandez, Alfons Orie duke arsyetuar lirmin e Haradinaj tha se në bazë të përfundimeve aktuale dhe ligjore të përcaktuar në aktgjykim dhoma shpall Haradinaj të pafajshëm dhe e shfajëson nga të gjitha aktakuzat. Gjykatësi Orie theksoi se po ashtu e njëjta gjë vlen edhe për z. Balaj.

Lahi Brahimaj u shpall fajtor për dy akuza: trajtim mizor dhe torturë si shkelje të ligjeve të luftës. Ai u shpall i pafajshëm për akuzat e tjera të aktakuzës.Brahimaj u dënua me gjashtë vjet burg, që përfshin kohën që ka kaluar në burg rreth tri vjet. Aktpadia kundër Haradinajt, i cili njëherësh është edhe kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ishte ngritur vetëm 100 ditë pasi që është emëruar në postin e kryeministrit të Kosovës, nga i cili post ai ka dhënë dorëheqje më 8 mars të vitit 2005, për të udhëtuar të nesërmen vullnetarisht në Hagë. Veprimet e tij atëbotë janë vlerësuar lart nga autoritete të shumta ndërkombëtare.

Tre të akuzuarit ishin ngarkuar me 37 vepra gjatë kohës kur kanë drejtuar me forcat e ish-UCK-së, në Zonën Operative të Dukagjinit në Kosovën perëndimore. Prokuroria kishte kërkuar një dënim maksimal prej 25 vjetësh për Haradinajn, duke e akuzuar atë për krime të rënda ndaj civilëve serbë në rajonin, ku ai ka komanduar. Por pala mbrojtëse ka thënë se akuzat nuk kanë bazë dhe kishte kërkuar lirimin e pakusht të Haradinajt.Gjykimi i Haradinajt në Hagë shënoi gjykimin e dytë me radhë ndaj shqiptarëve të Kosovës, pas atij ndaj Fatmir Limajt, aktualisht ministër në qeverinë e Kosovës, i cili po ashtu u lirua si i pafajshëm nga të gjitha akuzat.


Tags: ,

Komentet

  • topi ka shkruar:

    P

  • topi ka shkruar:

    po me then te drejten eshte dashur pak me denu kete dai se kogja po i thet vetes se ishte idrejte po jo,,,se kete e ka par gjdo shqiptare pas lufte e per lufte nuk e di ,,,a per pas lufte e ka meritu burgun pak,,,se ka be shume pasuri ky fare trimi a mos i ka be me djeres jo kurr po vetem me hajni

Trackbacks

Nuk ka trackbacks