Maqedonia nesër do ta njohë Republikën e Kosovës
Shkupi do ta njohë nesër zyrtarisht pavarësinë e Kosovën, kanë bërë të ditur burime shqiptare në Qeverinë e Maqedonisë për agjencinë e lajmeve INA. Njohja e Kosovës, sipas kësaj agjencie, do të bëhet nesër kur Qeveria pritet të mbajë seancë të rregullt të saj.
Këto burime kanë bërë të ditur se paraprakisht do të fillohet me procesin e demarkacionit të kufirit. Lajmi për njohjen e Kosovës nga Maqedonia është transmetuar sot edhe nga RTK-ja, nëpërmjet korrespodentit të saj në Shkup.
Siç merr vesh agjencia INA të enjten ekipe të Ministrisë së Brendshme, të Mbrojtjes dhe përfaqësues të NATO-s kanë dalë në terren në pjesën veriore për të vlerësuar terrenin kufitar, kur edhe pritet të përcaktohet vija kufitare.
Njohja e Kosovës është edhe një nga pikat e kushtëzuara nga Partia Demokratike Shqiptare (PDSH), e cila javën e kaluar braktisi qeverinë, duke kushtëzuar kthimin e saj me realizimin e gjashtë pikave për të drejtat e shqiptare, ku ndër to ishte edhe njohja e Kosovës. /INA/Telegrafi/