Partia e Gruevskit fiton zgjedhjet

Në Maqedoni, partia e qendrës së djathtë VMRO-DPMNE dhe koalicioni i drejtuar nga kryeministri, Nikolla Gruevski, ka fituar zgjedhjet e përgjithshme.

Në bllokun shqiptar dy subjektet kryesore, Bashkimi Demokratik për Integrim dhe Partia Demokratike, thonë se kanë fituar. Por Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve thotë se në përparësi me 10 mijë vota është BDI. Në ditën e votimit një person vdiq dhe shumë të tjerë u plagosën gjatë disa incidenteve që u shënuan sidomos në pjesën shqiptare. KSHZ-ja thotë se zgjedhjet mund të përsëriten në disa qendra votimi. Komisioni Evropian ka shprehur shqetësim të madh për aktet e dhunës.

Fitore ‘historike’
Kryetari i VMRO-DPMNE-së dhe kryeministri Gruevski tha se fitorja e subjektit që ai drejton është historike. ”VMRO-DPMNE dhe koalicioni ‘Për një Maqedoni më të mirë’ do të ketë mbi 60 deputetë në parlamentin e Maqeodnsië”, tha z. Gruevski. Ky rezultat i mundëson z. Gruevski shumicën në parlament. Blloku opozitar me në krye Lidhjen Social- Demokrate e pranoi humbjen. Radmilla Shekerinsa është kryetare e opozitës: ”I uroj koaliconit dhe VMRO-DPMNE-së për rezultatin zgjedhor” , tha Radmilla Shekerinsa, drejtuese e opozitës.

BDI ‘në përparësi’
Në mesin e partive shqiptare, sipas KSHZ-së, nga votat e numëruara në 82 përqind të vendvotimeve, BDI e Ali Ahmetit është në përparësi prej rreth 10 mijë votash ndaj PDSH-së. Por z. Menduh Thaçi kryetar i PDSH-së, thotë se partia e tij ka fituar: ”Është fitorja më e rëndë, më e vështirë por më e lezetshme për PDSH-në”. Izet Mexhiti ndërkohë është kryetar i shtabit zgjedhor të BDI-së: ”Në të gjitha zonat ku nuk ka pasur vrasje, mbushje të kutive dhunim të procesit zgjedhor BDI shënon fitore bindëse,” tha ai.

Incidente
Gjatë procesit të votimit pati shkelje serioze të ligjit, sidomos në zonat e banuara me shqiptare. Një person u vra, kurse disa të tjerë u plagosën, ndërkohë shumë vendvotime ose u mbyllën, ose nuk funksionuan me kapacitet të plotë. BDI për këtë shkak ka kërkuar rivotim në zonën numër 6 dhe në një pjesë të zonës 1, në Saraj të Shkupit. KSHZ konfirmoi një pjesë të madhe të paregullsive dhe pritet që të merret vendimi se në sa vendvotime do të ketë rivotim. Nga kjo do të varet dhe fituesi në bllokun shqiptar.