Për një teknologji të përparuar
“Eagle Mobile” marrëveshje me “Amcdocs”“Eagle Mobile” bën hapa para. Operatori më i ri ka nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me “Amdocs”, kompaninë e dytë më të madhe në botë që përgatit sistemet e përllogaritjes dhe faturimit të thirrjeve telefonike. Bëhet e ditur se kontrata u firmos në Barcelonë, Spanjë nga drejtori i përgjithshëm i “Eagle Mobile”, Ali Tashkin, dhe zv/presidenti i “Amdocs”, Charls Born, gjatë Kongresit Botëror dhe Panairit të GSM-së që u zhvillua mes datave 11-14 shkurt 2008. Sipas marrëveshjes, “Eagle Mobile” sjell në Shqipëri sistemin më të fundit të teknologjisë celulare të faturimit të thirrjeve në celular, mesazheve të shkurtra (SMS) dhe internetit dhe padyshim e bën sistemin më të sigurt dhe të besueshëm.Kjo do të ndikojë në transparencën e faturimit të trafikut telefonik që do të bëjnë përdoruesit e “Eagle Mobile” në të gjithë vendin. “Shërbimet e ‘Amdocs’ na japin mundësi të larmishme operacionale dhe shpejtësinë që dëshirojmë për të ndërtuar, ofruar dhe menaxhuar shërbime të reja, për të përmbushur në kohën reale detyrimet që kemi ndaj klientëve.”, thotë Ali Ta?k?n, drejtori i përgjithshëm i “Eagle Mobile”. “Paketa e ‘Amdocs’ e ndihmon ‘Eagle Mobile’-in që të futë shërbime të reja, të veçanta dhe konkurruese, që kanë një tarifë të ulët totale për klientin”, është shprehur Charls Born, zv/president i kompanisë “Amdocs”. Kjo është marrëveshja e dytë e madhe e nënshkruar nga “Eagle Mobile”, pas asaj me kompaninë ndërkombëtare “Huawei Technologies”, e cila ka sjellë për operatorin më të ri të telefonisë celulare në Shqipëri, teknologjinë më të re të centraleve dhe shpërndarjes së sinjalit. Ky sistem është gati për teknologjinë 3G, (third generation) ose ndryshe gjenerata e tretë dhe më bashkëkohorja.“Amdocs”, një kompani gjigante amerikano-izraelite me qendër në Misuri të SHBA-së, është e shtrirë që nga India, në Izrael, Turqi, Republikën Çeke, Irlandë, Brazil, SHBA etj. Ajo ka një personel prej 17 500 punonjësish. Kjo kompani ka bashkëpunim në këtë fushë me kompani lider në tregun e telekomunikimit në botë si AT&T, T-Mobile, Sprint - Nextel, Sensis etj.