Presidenti Bush niset për turneun evropian
Presidenti Bush u nis për një turne në 4 vende të botës: në Ukrainë, Rumani, Kroaci dhe Rusi. Në Bukuresht, ai do të marrë pjesë në takimin e NATO-s.Presidenti Bush e fillon turneun e tij evropian me një vizitë në Ukrainë, ku Këshilltari për Sigurinë Kombëtare, Stephen Hadley thotë se zoti Bush do të festojë tranzicionin demokratik të këtij vendi pas “Revolucionit Portokalli” të vitit 2004.
“Presidenti do të shprehë mbështetjen e tij për aspiratat e popullit të Ukrainës, që ky vend të zerë vendin e denjë në Evropë, të përfshirë brenda institucioneve evropiane, ndërsa Kievi vazhdon procesin e reformave”, - tha zoti Hadli. Gjatë vizitës së tyre në kryqytetin ukrainas, zonja dhe presidenti Bush do të vizitojnë Katedralen e Shën Sofisë dhe një shkollë shtetërore, ku do të kenë rastin të shohin një prezantim të nxënësve për parandalimin e virust HIV dhe SIDË-s.
Të mërkurën, Presidenti Bush shkon në Bukuresht, për të marrë pjesë në takimin e NATO-s, ku zoti Hadley thotë se aleanca transatlantike do të theksojë faktin se si ajo po ndryshon, për të përballuar sfidat e shekullit të ri.”Ne presin që udhëheqësit e NATO-s të marrin vendime për fuqizimin e aftësive të NATO-s, për përballimin e këtyre sfidave, përmes forcimit të aftësive të operacioneve speciale të NATO-s, si dhe për ndjekjen e politikës së mbrojtjes kolektive kundër sulmeve kibernetike dhe me raketa. Afganistani do të jetë çështja kryesore, për të cilën do të diskutohet në takimin e Bukureshtit”, - tha zoti. Udhëheqësit e NATO-s do të takohen me Presidentin afgan Hamid Karzai dhe me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së Ban Ki Moon, si dhe me zyrtarët nga Bashkimi Evropian dhe të Bankës Botërore. Udhëheqësit e NATO-s do të diskutojnë lidhur me planet amerikane për një sistem të mbrojtjes nga raketat në Evropë dhe do të votojnë lidhur me zgjerimin e radhëve të Aleancës me 3 vende, Shqipëria, Kroacia dhe Maqedonia.
Ata do të votojnë gjithashtu lidhur me pranimin e kërkesave të Gjeorgjisë dhe Ukrainës për anëtarësim, një veprim që kundërshtohet nga Rusia. Pas takimit, zoti dhe zonja Bush do të shkojnë në Kroaci, ku Presidenti do të flasë në Zagreb dhe do të marrë pjesë në një drekë pune me udhëheqësit e vendeve të ftuara për anëtarësim në NATO.Presidenti Bush i jep fund turneut të tij evropian me një vizitë në pikën e pushimit në Soçi, në brigjet e Detit të Zi, ku do të takohet me Presidentin rus Vladimir Putin. Ata do të diskutojnë lidhur me sistemin e mbrojtjtes nga raketat, për të cilin zoti Hadli thotë se synon ruajtjen nga sulmet e mundshme nga Irani dhe jo nga Rusia.
“Çështja kryesore është të gjendet një mënyrë konkrete, për ta siguruar Rusinë, se sistemi i radarëve dhe raketave që është në plan për t’u dislokuar në Poloni dhe në Republikën Çeke, kanë të bëjnë me kërcënimet e mundshme që i vijnë Evropës, Rusisë nga Lindja e Mesme dhe se ato nuk kanë si objektiv Rusinë.”- tha zoti Hadli. //lk huazuar nga VOA