Shpërthim i fuqishëm në një depo municioni pranë Tiranës

Banorët kanë dhënë alarmin dhe ata, që kanë patur mundësi, kanë braktisur shtëpitë shumica prej të cilave, sipas banorëve, janë shembur.

Shpërthimet, sipas kryeministrisë, ndonëse me intensitet më të ulët, kanë vazhduar edhe 30 minuta pas shpërthimit të parë, që ka qenë më i madhi. Autostrada është e bllokuar dhe qindra banorë, shumica prej tyre të plagosur dhe në panik të plotë, po largohen në drejtim të Tiranës. 

 

Forca të shumta të policisë, autoambulanca dhe zjarrfikse, janë nisur drejt vendit të ngjarjes, por sipas autoriteteve e kanë të pamundur për të mbrritur në ndihmë të banorëvë të mbijetuar, pasi situata është në kaos, sidomos në rrugët që të çojnë drejt vendit të shpërthimit. Ndërkohë në spitalin e qytetit të Durrësit dhe në spitalet e Tiranës, po mbrrijnë me dhjetra të plagosur, të cilëve, sipas ministrisë së shëndetësisë, po u jepet ndihma e parë. Banorët thonë se mund të ketë edhe të vdekur por autoritetet e këtushme thonë se ende nuk ka konfirmim zyrtar për numrin e të vdekurve.

Numri i të plagosurve rritet nga momenti në moment. Në vendgjarje janë dhe minsitri i brendshëm dhe shumë deputetët nga të gjithë krahët politikë. Vetë kryeministri Berisha është nisur për në vendgjarje për të parë më nga afër situatën shëndetësore të të plagosurve dhe rreth orës 14 është nisur drejt Gërdecit.

Ai ka deklaruar se “Ngjarja ka ndodhur në fshatin Gërdec, ku një kompani po çmontonte municionet. Kemi dërguar disa helikopterë për të nxjerrë të plagosurit, por deri tani është situatë mjaft e bllokuar. Po bëhet dhe evakuimi i popullatës nga fshatrat dhe autostrada. Shpërthimet vazhdojnë dhe po ndjekim çdo minutë këtë situatë për të bërë të mundur zvogëlimin e dëmeve ” ka deklaruar kryemisnitri Sali Berisha, 30 minuta pas tragjedisë.

Zv kryeministri Gazmend Oketa nga spitali i Durësit tha se nga 50 pasagjerët e një autobusi që ka qenë afër vendit të ngjarjes, të gjithë janë jashtë rrezikut për jetën. Në minutat e fundit edhe autoblindat e ushtrisë dhe policisë po hyjnë në vendgjarje, për të shpëtuar jetën e njerëzve.

Njoftimet bëjnë të ditur se dëmet janë të shumta dhe janë thyer xhamat e ndërtesave deri në periferi të Tiranës, madje zhurma e shpërthimit është dëgjuar në shumë qytete. Edhe Aeroporti i Rinasit, që është vetëm pak km larg vendit të ngjarjes, ka ndërprerë fluturimet për një kohë të pacaktuar.

(BBC ALBANIAN)


Tags: ,