Suedia njeh pavarësinë e Kosovës

Kryeministri Reinfeldt ka thënë se qeveria është udhëhequr nga fakti se Kosova ka qenë nën kontroll të KB-së që nga viti 1999. “Por ne po ashtu jemi të vetëdijshëm se kjo çështje i ka ndarë KB-në dhe BE-në”, tha ai.Megjithatë disa forca politike në Suedi, përkundër faktit se janë të kënaqura me njohjen e pavarësisë së Kosovës, janë deklaruar kundër zvarritjes së panevojshme.

Zëdhënësi i social-demokratëve, Urban Ahlin, e ka mirëpritur këtë vendim, mirëpo është shprehur kritik ndaj “procesit jofleksibil” që e ka shtyrë këtë njohje deri më 4 mars. “Ne jemi në grupin e fundit të BE-së (që kanë njohur Kosovën). A kemi përfituar diçka nga kjo gjë?”, ka pyetur Ahlin.

Prej vendeve fqinje të Suedisë, vetëm Danimarka deri më tash ka njohur Kosovën - ndërsa Finlanda, dhe dy shtete që nuk janë anëtare të BE-së, Norvegjia dhe Islanda, kanë bërë të ditur se do ta njohin së shpejti pavarësinë e Kosovës.

Deri më tash Kosovën e kanë njohur zyrtarisht 23-shtete, ndërsa presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, të hënën ka bërë të ditur se institucionet e Kosovës kanë marrë konfirmimin edhe të 80 shteteve të tjera se do ta njohin Kosovën. /telegrafi.com